Ky studim synon të hedhë dritë mbi ndikimin e gazetës Drita në formësimin e kulturës shqiptare të asaj kohe, duke analizuar ndërveprimin midis letërsisë, kinematografisë dhe medias si mjet komunikimi ideologjik. Media, përmes gazetës "Drita", ka luajtur një rol kyç në formësimin e një segmenti të opinionit publik (edukatorë, intelektualë të fushës së kulturës kryesisht) për kinematografinë shqiptare të realizmit socialist gjatë periudhës së diktaturës komuniste në Shqipëri. Edhe pse ndikimi i saj mbi vendimmarrjen direkte të kineastëve mund të ketë qenë i kufizuar, "Drita" u shndërrua në një mekanizëm të fuqishëm propagandistik që ushqente opinionin publik dhe njëkohësisht ushtronte dhe imbante në presion permanent krijuesit e letërsisë dhe arteve. Roli i gazetës Drita si propaganduese e parimeve të realizmit socialist dhe mbrojtëse e vijës ideologjike të Partisë në pushtet u manifestua në dy mënyra kryesore: së pari, përmes promovimit të normave ideologjike dhe glorifikimit të veprave që i përmbushnin ato; së dyti, përmes kritikës së ashpër dhe ndëshkimit moral e profesional të çdo devijimi nga kornizat e caktuara. Artikujt e publikuar në "Drita" shpesh shërbenin si udhëzime indirekte për kineastët, duke ofruar një pasqyrë të qartë mbi atë që pritej nga arti dhe kultura, e duke dekurajuar çdo tendencë për eksperimente artistike që nuk përputheshin me ideologjinë zyrtare. Studimi është realizuar nga pedagoget e Departamentit të Gazetarisë dhe të Komunikimit Dr. Raimonda Nelku dhe Prof.Asoc. Dr. Loreta Zela (Axhami).
Retro Drita - Të gjitha të drejtat e rezervuara © - by gridcartels.com
Privacy & Policy